Pelikani kaçurrel “pushton“ Liqenin e Shkodrës, eksperti: Sezoni i folezimit dhe masat mbrojtëse ndikojnë pozitivisht

pelikan kacurrel

I njohur për speciet e rralla dhe biodiversitetin e veçantë, Liqeni i Shkodrës, ka tërhequr vëmendjen këto ditë nga shfaqja masive e pelikanit kaçurrel, një specie që deri pak vite më parë rrezikonte zhdukjen. Sipas specialistëve të mjedisit, kjo dukuri lidhet kryesisht me sezonin e folezimit, por edhe me kujdesin më të madh që po i kushtohet kësaj specie të rrallë.

Në muajin janar dhe shkurt fillon edhe sezoni i folezimit për pelikanin kaçurrel. Por ka ndikuar edhe mungesa e shqetësimeve, janë bërë miqësorë me peshkatarët të cilët i ushqejnë dhe ndaj kohët e fundit shohim shtim të prezencës së pelikanit, por kjo nuk do të thotë se është shtim i numrit të individëve të pelikanit”, tha biologia dhe aktivistja e mjedisit, Aurora Piroviç.

Nga censusi i fundit, i realizuar në fillim të këtij viti, në pjesën shqiptare dhe malazeze të Liqenit të Shkodrës janë regjistruar rreth 150 individë të pelikanit kaçurrel. Ky zhvillim konsiderohet një tregues pozitiv i përmirësimit të ekosistemit. Megjithatë, sipas ekspertëve, shumë prej specieve të shpendëve ujorë në ligatinat e Shkodrës vijojnë të jenë të rrezikuara.

Janë 280 lloje shpendësh dhe nga këto, 168 janë të kërcënuara”, theksoi Piroviç.

Edhe pse kohët e fundit është vërejtur një rritje e pranisë së shpendëve në Liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna, të dhënat nga monitorimet tregojnë se ende nuk është arritur niveli mesatar të dy dekadave të fundit. Kjo dëshmon se, përveç ndalimit të gjuetisë, faktorë të tjerë si ndotja, ndryshimet klimatike dhe degradimi i habitateve natyrore vijojnë të luajnë një rol kyç në dinamikën e popullatave të shpendëve ujorë.