Peleshi: Shqipëria me ritëm rekord në negociatat me BE-në, synojmë mbylljen deri në 2027
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vlerësoi sot ecurinë e shpejtë të Shqipërisë në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, duke theksuar se objektivi mbetet përmbyllja e tyre deri në vitin 2027.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Peleshi prezantoi sfidat parlamentare në funksion të Shqipërisë 2030 dhe u ndal veçanërisht te integrimi europian.
Ai theksoi se gjatë vitit të fundit vendi ka shënuar një ritëm rekord në avancimin drejt BE-së, si në hapjen e negociatave, ashtu edhe në përmbushjen e kritereve teknike dhe institucionale.
“Procesi i hapjes së negociatave u përmbyll më 17 nëntor. Tashmë synimi është mbyllja e tyre deri në vitin 2027, një objektiv ambicioz dhe i vështirë, por i arritshëm”, u shpreh Peleshi.
Kryetari i Kuvendit u shpreh optimist për realizimin e këtij synimi, duke theksuar se viti 2027 nuk është një afat i vendosur në mënyrë të njëanshme, por një datë e dakordësuar me institucionet e Bashkimit Europian, dhe jo një premtim elektoral.
