PDK-ja kërkon dorëheqjen e ministrit Sveçla për vdekjen e 27-vjeçarit, dështon përsëri konstituimi i Kuvendit të Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqje të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për rastin e Agon Fejzullahut, 27-vjeçarit nga Lipjani që mëngjesin e së hënës ndërroi jetë pak pasi u ndalua nga oficerë të Policisë së Kosovës. Kërkesa u bë gjatë seancës së parashikuar për konstituimin e Kuvendit, që nuk u arrit as për herën e 44-t.
“Kërkoj përgjegjësi nga organet e shtetit për zbardhjen deri në fund të kësaj ngjarjeje që na ka tronditur të gjithëve. Në emër të PDK-së, kërkoj dorëheqjen e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme si një akt moral i përgjegjësisë së tij politike dhe ligjore,” deklaroi deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kërkoi llogaridhënie nga të gjitha instancat e Policisë.
“Policia e Shtetit është për t’i mbrojtur qytetarët. Policia e shtetit duhet të sillet me ligj. Policia e shtetit, edhe ndaj atij që është në kundërshtim me ligjin, duhet të veprojë sipas ligjit. Unë pres përgjegjësi nga kreu lart deri te poshtë. Ndoshta duhet të shikohet sesi është gjendja në Policinë e Kosovës,” tha z. Limaj.
Por kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë dënoi atë që e quajti “antifushatë” ndaj policisë.
“Dua të bëj të qartë se nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet për këdo që mund të ketë tejkaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare. Diskutimet publike që po bëhen dhe gjykimet publike janë veçanërisht të vështira për familjen Zejnullahu dhe miqtë e të ndjerit. Në të njëjtën kohë, tendenca që të nis një antifushatë ndaj Policisë së Kosovës është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje,” u shpreh kryeministri Kurti.
Për vdekjen e 27-vjeçarit, rrjeti i organizatave joqeveritare “Avonet” mbajti një protestë para stacionit të Policisë së Lipjanit, duke kërkuar hetim të paanshëm dhe transparent dhe dorëheqjen e drejtuesit të policisë lokale, si dhe të drejtorit të përgjithshëm të Policisë.
Për rastin e 27-vjeçarit, që humbi jetën në rrethana të dyshimta pas ndalimit nga policia, janë ndaluar pesë oficerë policie që dyshohen për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
