Pastrimi i lumit Buna nga strukturat metalike / Ekspertët: Ndërhyrje e domosdoshme për shpëtimin e biodiversitetit
Pastrimi i lumit Buna dhe i Liqenit të Shkodrës nga struktura metalike, rrjeta të paligjshme dhe pinarë është realizuar në dy faza brenda katër muajve të fundit nga Bashkia Shkodër dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
Ky aksion është vlerësuar nga ekspertët e mjedisit si një ndërhyrje vendimtare për të frenuar rënien dramatike të resurseve peshkore në liqen.
Sipas specialistëve, peshkimi pa kriter dhe përdorimi i mjeteve të ndaluara për vite me radhë si dhe ndotja e ujërave kanë shkaktuar dëme të mëdha në faunën ujore të liqenit dhe lumit Buna. Nga rreth 50 specie peshqish që ekzistonin deri 30 vite më parë, aktualisht ekzistojnë vetëm 36 prej tyre, ndërsa disa nga llojet më karakteristike të liqenit janë zhdukur plotësisht.
Liqeni i Shkodrës, më i madhi në Ballkan dhe një kufi natyror mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, ka qenë historikisht një burim jetese për komunitetin lokal.
Gjatë periudhës së monizmit, deri në vitet ’90, zënia e peshkut në liqen arrinte nga 900 deri në 1200 tonë në vit.
Sot, këto shifra janë reduktuar në mënyrë drastike, duke zbritur në vetëm disa dhjetëra tonë në vit.
