Pasaportat më të fuqishme në botë për vitin 2026

Pasaportat më të fuqishme

Udhëtimi pa viza dhe kalimi i shpejtë në kontrollet kufitare mbeten përfitime kyçe për qytetarët e vendeve me pasaportat më të fuqishme në botë. Sipas raportit më të fundit të Henley Passport Index për vitin 2026, Singapori mban vendin e parë global, duke u ofruar qytetarëve të tij qasje pa viza në 192 nga 227 vende dhe territore të monitoruara.

Në vendin e dytë renditen Japonia dhe Koreja e Jugut, të barabarta me qasje pa viza në 188 destinacione. Evropa vijon të dominojë renditjen, me Danimarkën, Luksemburgun, Spanjën, Suedinë dhe Zvicrën që ndajnë vendin e tretë me 186 destinacione pa viza.

Një grup i gjerë vendesh evropiane zë vendin e katërt me 185 pikë, përfshirë Austrinë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Holandën, ndërsa vendin e pestë e ndajnë Hungaria, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me 184 destinacione.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara renditen më poshtë, në vendin e dhjetë me qasje pa viza në 179 vende, duke reflektuar një rënie krahasuar me vitet e mëparshme.

Pasaporta shqiptare renditet e 43-ta me 121 vende për të udhëtuar pa viza.

Henley Passport Index përpilohet nga kompania këshilluese Henley & Partners, me seli në Londër, dhe bazohet në të dhëna ekskluzive nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), duke mbetur një nga matësit më të besueshëm të lirisë globale të udhëtimit.

Pasaportat më të fuqishme në botë për vitin 2026

Singapori (192 destinacione)

Japonia, Koreja e Jugut (188)

Danimarka, Luksemburgu, Spanja, Suedia, Zvicra (186)

Austria, Belgjika, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Holanda, Norvegjia (185)

Hungaria, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Emiratet e Bashkuara Arabe (184)

Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Malta, Zelanda e Re, Polonia (183)

Australia, Letonia, Lihtenshtajni, Mbretëria e Bashkuar (182)

Kanada, Islandë, Lituani (181)

 Malajzia (180)

Shtetet e Bashkuara (179)