Pas Iran-Izrael, SHBA ‘rikthehet’ te Ukraina-Trump pritet të takojë Zelenskyn

Trump pritet të

Presidenti i SHBA-së Donald Trump pritet të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky ditën e mërkurë paralelisht me samitin e NATO-s që po mbahet këto ditë në Hagë.

Ky takim mes tyre vjen pasi fokusi në luftën e Rusisë me Ukrainën është lënë në plan të dytë për shkak të konfliktit Izrael-Iran, konflikt për të cilin tashmë është vendosur një armëpushim.

“Duke u përgatitur për samitin, nuk ishte e qartë nëse Zelenskyy do të merrte pjesë për shkak të druajtjes nëse do të kishte garanci për një takim dhe kohë të mjaftueshme për të biseduar ballë për ballë me Donald Trump. Më herët këtë muaj, Zelensky fluturoi për në Kanada për takimin e liderëve botërorë të G7 me shpresën e një takimi me presidentin e SHBA-së, por Trump u largua nga samiti herët”, raporton Politico, që u referohet burimeve informale nga Shtëpia e Bardhë.

Trump tha të martën në mëngjes në bordin e Air Force One, gjatë rrugës për në Hagë të Holandës, se me shumë gjasë do të takohej me Zelenskyn, megjithëse nuk e konfirmoi në atë kohë.

Zelensky këmbënguli të martën se vendi i tij ende po kërkon të bashkohet me Aleancën e Atlantikut të Veriut teksa ishte i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, kur ky i fundit u shpreh se “ky drejtim nuk ndryshon”.

Shefi i aleancës theksoi se organizata po punonte gjithashtu për “ndërtimin e urës” për Ukrainën, ndërsa theksoi se anëtarët evropianë dhe kanadezë kanë premtuar 35 miliardë euro ndihmë për Kievin deri më tani këtë vit.

Zalensky nënvizoi gjithashtu se pranimi i Ukrainës ishte një “mundësi e ndërsjellë” për aleancën, duke argumentuar se vendi i tij tani ka kapacitetin për të prodhuar 8 milionë dronë çdo vit.

“Është një propozim i favorshëm për NATO-n sot të ketë një aleat si Ukraina, me armë të NATO-s, me teknologji të re”, tha ai për Sky Neës.

“Ne nuk kemi sekrete dhe njerëz me përvojë me 10 vjet lloje të ndryshme luftimesh”.

Megjithatë, Trump dhe administrata e tij kanë përjashtuar mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Kjo është një temë që mund të lindë kur të dy udhëheqësit të takohen në Hagë.

Presidenti ukrainas e shfrytëzoi gjithashtu kohën e tij në Holandë për të paralajmëruar se Rusia po planifikonte “operacione shkatërruese në territorin e NATO-s”.

Moska nuk respekton asnjë aleancë dhe gjithmonë i tradhton të ‘ashtuquajturit’ partnerë të saj… Kjo është arsyeja pse solidariteti në mbrojtje është kaq i rëndësishëm, në mënyrë që askush të mos jetë kurrë vetëm”, tha ai në një fjalim para parlamentit holandez.