Partia “Mundësia” protestë para Kuvendit, Agron Shehaj: Kemi të drejtë të përfaqësohemi në Këshillin e Mandateve
Partia “Mundësia” së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile po zhvillojnë sot një protestë në hyrje të Kryesisë së Kuvendit, ndërsa brenda ambienteve po mbahet mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit.
Protestuesit kanë dalë me pankarta dhe tymuese, duke kërkuar që Kuvendi të mos pengojë drejtësinë dhe të lejojë vijimin e procedurave ligjore.
Me pankarta me mbishkrime si “Drejtësi deri në fund”, “Peshku qelbet nga koka” dhe “Në mbrojtje të drejtësisë, drejtësi deri në fund”, aktivistët e pranishëm kanë bërë thirrje për transparencë dhe respektim të ligjit.
Gazetarja e RTSH-së, Jonida Omeri, raportoi se protestuesit kërkojnë heqjen e imunitetit dhe drejtësi pa kompromis.
“Që herët në mëngjes, kreu i Partisë “Mundësia” Agron Shehaj dhe deputeti Erald Kapri kërkuan të ishin pjesë e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, duke argumentuar se si parti politike kanë të drejtë të përfaqësohen. Megjithatë, kërkesa e tyre nuk u pranua.”
Në një deklaratë për mediat, Agron Shehaj akuzoi mazhorancën se po tenton të mbajë të fshehur kërkesën e SPAK.
Ai tha se “Kanë vendosur dhe duan të bëjnë gjithçka për të mbuluar atë që po ndodh. Duan të mbajnë të fshehur kërkesën e SPAK-ut. Unë kam të drejtë të jem pjesë e Këshillit të Mandateve. Jemi parti politike dhe kemi nevojë të përfaqësohemi. Balla, në asnjë mënyrë, dhe anëtarët e tjerë që janë aty, u tha se nuk lejohen të tjerët. Ky është preteksti që e kanë kërkuar prokurorët. Kjo është hera e parë që e mbajnë mbledhjen me dyer të mbyllura. Kjo është e mbyllur!”
Më tej Shehaj se, ky është një precedent i rrezikshëm, pasi sipas tij, për herë të parë një mbledhje e Këshillit mbahet me dyer të mbyllura, duke lënë jashtë përfaqësues të opozitës dhe të partive të tjera.



