“Partia e re e Musk, qesharake”, Trump kritikon krijimin e “Partisë Amerikane” nga ish-aleati

tramp kritikon

“Qesharak” e cilësoi presidenti amerikan Donald Trump krijimin e partisë së re nga ish-aleati i tij i ngushtë, Elon Musk.

Sistemi ka qenë gjithmonë sistem dypartiak dhe mendoj se krijimi i një partie të tretë vetëm sa shton konfuzionin,” u shpreh presidenti republikan.

Pasi e kishte diskutuar idenë për javë të tëra, Musk njoftoi gjatë fundjavës për krijimin e Partisë Amerikane për të sfiduar “sistemin njëpartiak” në SHBA, siç i quajti ai Partinë Republikane dhe atë Demokrate.

Trump dhe Musk ishin aleatë të ngushtë para se kreu i kompanisë së automjeteve elektrike Tesla të largohej nga drejtimi i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, i cili kishte detyrë të ndihmonte në uljen e shpenzimeve federale.

Njeriu më i pasur në botë, pasi shpalli krijimin e partisë së re politike, tha se ajo mund të mbështesë një kandidat presidencial në një moment të caktuar, por fokusi për 12 muajt e ardhshëm do të jetë tek Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, pasi më herët Kongresi amerikan miratoi projektligjin e president Trump për uljen e shpenzimeve.

Plani i taksave dhe shpenzimeve, i kthyer në ligj pas nënshkrimit më 4 korrik nga presidenti republikan, i dha fund lehtësirave tatimore për automjetet elektrike.

Musk e ka kritikuar vazhdimisht këtë politikë qeveritare, duke paralajmëruar se do të rrisë me miliarda dollarë borxhin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.