Paqja në Ukrainë në ‘fije të perit’, 20 pikat e planit të Trump dhe dy “minat” që mund të hedhin gjithçka në erë

Ukrainë në ‘fije të perit

Pas gati katër vitesh luftë rraskapitëse, bota duket më pranë se kurrë një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, por detajet e “djallit” fshihen në dy çështje kritike që kërcënojnë të prishin gjithçka.

Presidenti amerikan Donald Trump, arkitekti i planit 20-pikësh të paqes, ka pranuar se kanë mbetur “një ose dy çështje shumë të mprehta dhe të vështira”. Edhe pse Kremlini flet për negociata në “fazën përfundimtare”, hendeku mes palëve mbetet i thellë.

‘Nyja gordiane’ e Donbasit

Pika më e nxehtë është fati i Donbasit industrial. Vladimir Putin nuk heq dorë nga kërkesa maksimaliste për të kontrolluar të gjithë rajonin e Donetskut dhe Luhanskut, përfshirë qytetet kyçe si Sloviansk dhe Kramatorsk që ende kontrollohen nga Ukraina.

“Nuk mund të tërhiqemi thjesht, është jashtë ligjit tonë. Njerëzit jetojnë atje, 300,000 njerëz… Nuk mund t’i humbasim ata njerëz,”, deklaroi Zelensky, duke refuzuar dorëzimin e këtyre qyteteve.

Propozimi i kompromisit nga Kievi është krijimi i një zone të demilitarizuar ose të lirë ekonomike, e mbikëqyrur nga forca ndërkombëtare, por Moska, e cila po avancon ushtarakisht, duket pak e prirur ta pranojë.

Centrali bërthamor i Zaporizhzhias

Çështja e dytë madhore është centrali më i madh bërthamor i Evropës, i pushtuar nga Rusia që prej vitit 2022.

Propozimi amerikan është që SHBA të menaxhojë centralin si një ndërmarrje e përbashkët me Rusinë dhe Ukrainën.

Ndërsa qëndrimi ukrainas është menaxhim 50-50 me SHBA-në (duke nënkuptuar që SHBA vendos për pjesën e Rusisë).

Qëndrimi rus është që Rosatom (Rusia) është i vetmi entitet që mund ta drejtojë dhe garantojë sigurinë.

Mungesa totale e besimit

Përtej hartave dhe territoreve, problemi themelor është psikologjik. Zelensky ishte i prerë pas sugjerimit të Trump se Putin dëshiron suksesin e Ukrainës: “Nuk u besoj rusëve dhe nuk i besoj Putinit.”

Tensionet u rritën edhe më tej pas akuzave të ndërsjella për një sulm të dyshuar me dron ndaj një rezidence të Putinit, të cilin Kievi e mohon kategorikisht.

Referendumi dhe e ardhmja

Zelensky këmbëngul se çdo marrëveshje që prek territorin duhet të miratohet përmes një referendumi popullor, i cili kërkon një armëpushim 60-ditor për t’u organizuar. Kremlini e refuzon këtë ide, duke e parë armëpushimin e përkohshëm si një mundësi për riarmatosjen e Ukrainës.

Me këto divergjenca madhore, takimi i 6 janarit në Francë pritet të jetë vendimtar: ose do të vulosë paqen, ose do të tregojë se lufta është ende larg fundit.