Paqja në Ukrainë-Emisari i SHBA-ve, Witkoff dhe Kushner pritet të takohen sot me Putinin
Emisari i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, pritet të takohen të martën në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, duke i sjellë Kremlinit një plan paqeje që Washingtoni shpreson të ndalojë luftën katërvjeçare në Ukrainë.
Ky takim ndodh në të njëjtën kohë me vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Irlandë, duke vazhduar turin e tij në vendet evropiane që kanë mbështetur luftën e Kievit kundër pushtimit rus.
Në një ditë që mund të jetë vendimtare për negociatat, Zelensky tha se pret raporte të shpejta më vonë gjatë ditës nga emisarët amerikanë në Moskë mbi mundësinë e zhvillimit të bisedimeve, pas planit fillestar 28-pikësh të Trump-it, i cili u reduktua në 20 pika gjatë bisedimeve të dielën midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Florida.
“Ata duan të na raportojnë menjëherë pas asaj mbledhjeje, veçanërisht. E ardhmja dhe hapat e ardhshëm varen nga këto sinjale. Këto hapa do të ndryshojnë gjatë gjithë ditës së sotme, madje orë pas ore, besoj unë. Nëse sinjalet tregojnë lojë të ndershme me partnerët tanë, ne mund të takohemi shumë shpejt, të takojmë delegacionin amerikan”, Ka shumë dialog, por nevojiten rezultate. Njerëzit tanë po vdesin çdo ditë. Jam gati të takohem me presidentin Trump. Gjithçka varet nga bisedimet e sotme”, tha Zelensky.
Witkoff dhe Kushner u panë duke lënë një restorant në qendër të Moskës gjatë drekës së martën, para takimit me Putinin.
Kushner do të bashkohet në takimin midis Putin-it dhe Witkoff-it, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Ai tha se bisedimet do të zgjasin “aq kohë sa nevojitet” dhe do të përfshijnë vetëm Witkoff-in, Kushner-in dhe një përkthyes nga ana amerikane.
Bisedimet kanë ndjekur linja paralele deri tani, me Sekretarin e Shtetit amerikan Marco Rubio që u ul me zyrtarët ukrainas, dhe tani Witkoff dhe Kushner në Moskë.Zelensky tha se u takua të martën me delegacionin ukrainas që u kthye nga negociatat me përfaqësuesit amerikanë në Florida. Rubio tha se ato bisedime bënë përparim, por shtoi se “ka më shumë punë për t’u bërë”.
Zelensky tha se bisedimet në Florida u bazuan në një dokument të hartuar nga të dyja palët në një takim të mëparshëm në Gjenevë.
