Papa Leoni XIV bën thirrje të re për paqe: Nuk duhet të mësohemi me luftën

Papa Leoni XIV

Papa Leoni XIV, në fund të audiencës së përgjithshme të sotme, ka lëshuar një thirrje të fuqishme për paqe, duke kujtuar konfliktet e shumta që po shqetësojnë botën dhe Selinë e Shenjtë. Ai theksoi se “zemra e Kishës është e shqyer nga britmat që vijnë nga vendet e luftës, veçanërisht nga Ukraina, Irani, Izraeli dhe Gaza.”

Papa i ri e ka vënë çështjen e paqes në krye të agjendës së tij që nga fillimi i pontifikatit, duke ndjekur hapat e Papa Françeskut. Ai paralajmëroi kundër mësimit me konfliktin: “Nuk duhet të mësohemi me luftën, përkundrazi duhet ta hedhim poshtë si tundim joshjen e armëve të fuqishme dhe të sofistikuara.”

Një shqetësim i madh për Papën është edhe evolucioni i armatimeve. “Meqenëse në luftën e sotme përdoren armë shkencore të çdo lloji, mizoria e tyre kërcënon ta çojë luftimin në një barbari shumë më të madhe se ajo e kohërave të kaluara,” theksoi ai. Selia e Shenjtë, duke e cilësuar “imorale” jo vetëm përdorimin, por edhe thjesht posedimin e armëve atomike, është thellësisht e shqetësuar nga kërcënimi i përdorimit të armëve gjithnjë e më shkatërruese.

Papa Leoni XIV përtëriti thirrjen e tij për të lënë armët, duke cituar dy nga paraardhësit e tij të mëdhenj.

“Në emër të dinjitetit njerëzor dhe të drejtës ndërkombëtare, u përsëris atyre që janë përgjegjës atë që thoshte Papa Françesku: ‘Lufta është gjithmonë një humbje’. Dhe me Piun XII: ‘Asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbasë me luftën’.”