“Panairi i punimeve të riciklueshme “ / Bejko: Plastika, kërcënuese e ekosistemeve ujore në Shkodër
Plastika po kthehet në një nga kërcënimet më serioze për ekosistemet ujore, duke ndikuar drejtpërdrejt në biodiversitet dhe cilësinë e jetës.
Lumenjtë, liqenet dhe zonat e mbrojtura në rajonin e Shkodrës janë gjithnjë e më të ekspozuara ndaj ndotjes plastike.
Në këtë kuadër, u zhvillua aktiviteti “Panairi i Punimeve të Riciklueshme – Plastika, kërcënuese e ekosistemeve ujore”.
Gjimnazet “Jordan Misja” dhe “Oso Kuka” u bënë pjesë e panairit të cilët përmes punimeve kreative me materiale të riciklueshme, përcollën mesazhe të forta mbi mbrojtjen e natyrës dhe përgjegjësinë qytetare.
Projekti “Nxitja e Reduktimit të Plastikës në Zonat e Mbrojtura”, është një iniciativë e mbështetur nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile dhe bëri bashkë Forumin e Liqenit, Zonat e Mbrojtura, arsimin parauniversitar dhe Universitetin e Shkodrës.
Aktiviteti synoi të rrisë ndërgjegjësimin mbi pasojat që plastika shkakton në mjedis, duke promovuar riciklimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të materialeve.
