Paketa për Bujqësinë 2026, ministri Salla: Kredi me 2% interes dhe garanci shtetërore për fermerët
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka prezantuar atë që e cilësoi si “paketën më të madhe financiare ndonjëherë” për bujqësinë shqiptare. Gjatë një dëgjese me fermerë të zonave të Cërrikut, Gramshit dhe Belshit, ministri shpalosi detajet e Skemës Kombëtare 2026, e cila sjell risi të rëndësishme në mbështetjen e sektorit.
Lajmi më i rëndësishëm për sipërmarrësit ruralë lidhet me aksesin në financim. Ministri Salla njoftoi se për vitin 2026, qeveria ka aktivizuar instrumentin e kredisë së butë.
Kjo skemë funksionon në dy drejtime. Fermerët do të paguajnë vetëm 2% interes, pasi pjesa tjetër mbulohet nga shteti dhe për ata që nuk kanë mundësi të lënë peng pasuri për të marrë kredi, garancia shtetërore do të mbulojë deri në 70% të kolateralit të kërkuar nga bankat.
Agropërpunimi në fokus
Përveç skemave të granteve dhe kompensimit të TVSH-së, Salla theksoi se viti 2026 do t’i dedikohet fuqizimit të agropërpunimit. Qëllimi është që produkti shqiptar të mos shitet si lëndë e parë, por të përpunohet brenda vendit për të rritur vlerën e shtuar në treg.
“Paketa e integruar synon të shoqërojë fermerët në çdo hap, nga prodhimi te tregu, duke nxitur formalizimin dhe investimet,” u shpreh ministri gjatë takimit.
