“Paketa e Maleve” / Vau Dejës, rreth 200 aplikime, interes për Luginën e Drinit
Rreth 200 qytetarë kanë aplikuar deri më tani për të përfituar nga Paketa e Maleve në Bashkinë Vau i Dejës.
Sipas Marinela Dedës, drejtoreshë e Drejtorisë Ligjore dhe Aseteve, bashkia ka vënë në dispozicion sportele të posaçme ku të interesuarit mund të marrin informacion, këshillim dhe asistencë për procedurat e aplikimit.
Interesi më i madh për këtë program mbështetës vijon të jetë në zonat përgjatë luginës së lumit Drin, ku potenciali për zhvillim ekonomik dhe turistik është i lartë.
Paketa e Maleve synon të nxisë zhvillimin industrial dhe turistik, duke ofruar mbështetje për qytetarët dhe investitorët që zgjedhin të investojnë në këto zona.
Në kuadër të këtij programi përfshihen zonat e Barbullushit, Luginës së Drinit, Bushatit, Shllakut, Mnelës dhe Nënshatit.
