Paketa e maleve, Denaj: Aplikimet dorëzohen online nëpërmjet portalit E-Albania
Pas botimit në Fletoren Zyrtare, ka hyrë në fuqi dhe ka nisur zbatimi i ligjit për nismën “Paketën e Maleve”, një program i posaçëm i qeverisë që synon të mbështesë zhvillimin ekonomik të zonave të thella malore. Kjo skemë parashikon mbështetjen e 500 projekteve, të cilat do të përfitojnë lehtësi fiskale dhe nxitje për investime.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ka bërë publik në rrjete sociale linkun e portalit ku aplikohet online.
“Shprehni interesin për të investuar në tokën që posedoni dhe bëhuni pronarë të saj me Paketën e Maleve duke ndjekur disa hapa shumë të thjeshtë në portalin www.paketaemaleve.gov.al.”, shkroi Denaj.
Ministrja shkruan se për investimin përfitohen lehtësi fiskale, 10 vjet pa asnjë taksë.
Shprehni interesin për të investuar në tokën që posedoni dhe bëhuni pronarë të saj me Paketën e Maleve duke ndjekur disa hapa shumë të thjeshtë në portalin www.paketaemaleve.gov.al.”, shkroi Denaj
Qeveria përmes “Paketës së Maleve” synon zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë rurale; promovimi i produkteve “Made in Albania”; lehtësi procedurash për pronësinë dhe ndërtimin; politika fiskale stimuluese dhe zgjerim i hartës turistike.
Qëllimi kryesor i kësaj nisme është rigjallërimi i rajoneve të prekura rëndë nga emigrimi, migrimi i brendshëm dhe tkurrja ekonomike. Përmes “Paketës së Maleve”, qeveria synon të krijojë kushte më të favorshme për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike në këto zona, duke frenuar largimin e popullsisë dhe duke gjeneruar të ardhura të reja.
Gjithashtu, paketa synon të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qendrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit të lidhur me ekosistemin e këtyre zonave, bazuar në mbrojtjen e pejzazhit natyror, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kulturës dhe identitetit lokal në këto zona të shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore.
Nisma shtron përpara detyrën për bashkitë që të bëjnë pjesën që u takon, ku roli i tyre në këtë nismë është thelbësor.
Bashkitë duhet që nëpërmjet analizave me stafet përkatëse të shpallin zonat me përparësi në territorin e tyre, të cilat do të mund të përfitojnë nga lehtësitë që parashikon kjo paketë.
Qeveria ka sqaruar se ky ligj nuk e zgjidh problematikën e pronësisë, e cila trajtohet me një kuadër krejt tjetër ligjor, por synon që me lehtësimin e procedurave dhe plotësimin e një sërë kushteve të mundësojë dhënien e lejeve përkatëse dhe zhvillimin e projekteve konkrete për të gjithë ata që zotërojë një pronë në një nga zonat me përparësi.
