Pagat e gjyqtarëve, Kushtetuesja reagon pas qëndrimit të Ramës: Jemi të pavarur, s’ndikohemi në vendimmarrjen tonë

Kushtetuesja reagon

Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas qëndrimit të kryeministrit Edi Rama ndaj padisë së Unionit të Gjyqtarëve që i kërkonte Gjykatës Kushtetuese të shpallë sërish si antikushtetues nenin që përcakton pagën referuese të magjistratëve në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Në një njoftim për mediat, Gjykata Kushtetuese shkruan se nisur nga qëndrimet e pushteteve të tjera, përfshirë edhe atë ekzekutiv, ky institucion “siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj”.

Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj”, thekson në njoftimin e saj.

Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese shkruan më tej se çdo përpjekje që vë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e këtij institucioni ‘cenon vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve’

Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, ditën e djeshme kërkesën e Unionit të Gjytarëve, kryeministri Edi Rama e konsideroi si një “ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit në kompetencat e ekzekutivit”.

“..mesa duket, i ka pëlqyer Unionit aq shumë, sa pas rritjes së pagave të administratës në maj të vitit 2023, Unioni i Gjyqtarëve tani rikërkon përsëri nga Gjykata rritjen e pagave të gjyqtarëve!

Tani, unë uroj shumë që shakaja e hidhur e Gjykatës Kushtetuese herën e parë – të cilën ne e pranuam në heshtje si një lajthitje që duhej kapërdirë për hir të respektit ndaj një vendimi të gjyqësorit – të mos përsëritet”, shkroi kryeministri Rama.