Osmani: Serbia përpiqet vazhdimisht të destabilizojë Kosovën, mbrojmë integritetin tonë territorial
Presidentja Vjosa Osmani ka akuzuar Serbinë se përpiqet vazhdimisht të destabilizojë Kosovën.
Në një deklaratë të përbashkët për medie me homologun e saj letonez Edgars Rinkēvičs, Osmani u shpreh se situata mes Kosovës e Serbisë nuk është ajo e dy vendeve në tension me njëra-tjetrën, por ajo e vendit agresor e atij vetëmbrojtës.
Osmani garantoi se Kosova do të mbrojë gjithnjë pavarësinë dhe integritetin territorial të saj, pavarësisht përpjekjeve të Beogradit për destabilizim.
“Unë nuk do t’i quaja tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne përpiqemi të mos biem në kurthin e barazimit të të dyja palëve. Ne nuk duhet ta fusim kurrë agresorin dhe viktimën në të njëjtin thes. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne mbrohemi vazhdimisht. Ne kurrë nuk kemi pushtuar ose sulmuar, madje as edhe një centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është ta mbrojmë pavarësinë tonë, ta mbrojmë integritetin tonë territorial, ta mbrojmë paqen dhe lirinë, që janë fituar me shumë sakrificë”, tha presidentja e Kosovës.
