Osmani pret Begajn: Kosovë -Shqipëri, bashkëpunim i pandalshëm

Osmani pret Begaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se biseda është fokusuar në forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve dhe rëndësinë që Kosova dhe Shqipëria të qëndrojnë gjithmonë pranë njëra-tjetrës.

Në një takim të ngrohtë fundvitit, sot pata kënaqësinë ta pres Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin biseduam për bashkëpunimin tonë të pandalshëm dhe nevojën që Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës”, ka shkruar Osmani.

Osmani ka uruar Begajn që viti i ardhshëm të sjellë më shumë afërsi dhe bashkëpunim drejt Bashkimit Evropian.

“Në prag të festave të fundvitit, i përcolla urimet më të përzemërta, me dëshirën që viti që vjen të sjellë edhe më shumë afërsi, më shumë bashkëpunim dhe hapa të suksesshëm drejt Bashkimit Evropian për dy shtetet tona”, thuhet në postimin e Osmanit.

Ai sot do të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të  50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Kreu i shtetit shqiptar, një ditë më parë qëndroi në Rahovec ku nga kryetari i kësaj komune, Smajl latifi u dekorua me “Medaljen e Lirisë” me motivacionin: “Për kontributin atdhetar e humanist, për rolin e tij në mbrojtjen e vlerave kombëtare shqiptare në të gjitha etapat e historisë sonë, për angazhimin e vazhdueshëm në afirmimin kombëtar e ndërkombëtar të çështjes shqiptare, si dhe për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e historike në trojet etnike shqiptare.