Osmani: Nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditëve, do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese

Vjosa Osmani do

Nëse legjislatura e nëntë e Kuvendit nuk konstituohet së shpejti, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se çfarë ndodh pasi të mbarojë afati 30-ditor që nisi në datën 26 qershor që kjo gjykatë caktoi për përmbushjen e këtij procesi.

Unë do të planifikoj në qoftë se nuk ka konstituim të Kuvendit shumë shpejt që t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sqarim lidhur me atë se çfarë pas 30 ditësh. Sepse duhet të sqarohet se cila është pasoja juridike e mos kryerjes së detyrimit kushtetues të konstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh. Sepse duhet të ketë pasoja juridike. Do të flas më gjatë kur t’i përfundojë takimet me partitë politike lidhur edhe me përmbajtjen e takimeve por edhe lidhur me planet që i kemi gjatë ditëve në vijim”, theksoi Osmani.

Ndërsa cilësoi si shumë jo të arsyeshëm ngërcin e krijuar në kuvend për shkak se opozita nuk pranon të marrë pjesë në një komision për mbarëvajtjen e votimit të fshehtë për kandidaten e lëvizjes vetëvendosje për kryeparlamentare Albulena Haxhiu, Osmani u shpreh se gjykata kushtetuese votimin e fshehtë nuk e ka përjashtuar si mundësi, por sërish sipas saj duhet dakordësia e deputetëve. 

 “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar më shumë hapësirë për më shumë interpretime. Edhe zakonisht kur i keni dy jurista në një sallë, i keni pesë interpretime të ndryshme nga dy persona. Edhe pse jam vet juriste dhe kam ligjëruar edhe të drejtën kushtetuese edhe në Kosovë edhe në ShBA, megjithatë në cilësinë e presidentes unë gjithmonë ja lë vlerësimet juridike ekipit tim ligjor dhe shumë ekspertë të jashtëm që po ashtu janë profesorë të kësaj fushe. Dhe konstatimi i ekipit tim ligjor me të cilin unë pajtohem është që në qoftë se lexohet në tërësi aktgjykimi, votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, megjithatë për këtë kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, tentim të seancës para se të shkohet tek një mënyrë e tillë”, deklaroi ajo.

Ndër të tjera, Osmani, e cilësoi ndër shkeljet më të rënda faktin që populli nuk po arrin të ushtrojë sovranitetin përmes përfaqësuesve të tij të zgjedhur në kuvend. Komentet presidentja e Kosovës I dha pas ceremonisë  së diplomimit të 18 kadetëve të forcës së sigurisë së Kosovës.