Organizatorët e “Giro d’Italia” falënderojnë Policinë e Shtetit për mbarëvajtjen dhe sigurinë e garës në Shqipëri

RCS Sport & Events, organizatorja e eventit sportiv “Giro d’Italia”, i ka dërguar një letër falënderimi policisë shqiptare për garantimin me sukses të mbarëvajtjes së tri etapave të para të kësaj gare, të cilat u zhvilluan në Shqipëri në datat 9, 10 dhe 11 maj.
“Shprehim konsideratën më të lartë për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit shqiptar. Shërbimi i eskortës, i realizuar me përpikëri nga efektivët e Policisë Rrugore, që shoqëruan çiklistët gjatë çdo faze të garës, si dhe siguria e garantuar në çdo pikë kritike të itinerarit nga Policia e Shtetit, vërtetuan aftësinë organizative dhe shkallën e lartë të trajnimit të strukturave tuaja.
Rezultati i arrirë, si në aspektin sportiv, ashtu dhe në sigurinë e garës, ka qenë maksimal dhe është vlerësuar unanimisht nga mediet sportive, organizmat më të lartë të çiklizmit ndërkombëtar, kolegji i komisarëve, drejtuesit e garës, si dhe nga të gjitha skuadrat pjesëmarrëse,” thuhet në letrën e organizatorëve të “Giro d’Italia”.
Për tri ditë radhazi, më 9–11 maj, Policia e Shtetit zbriti në terren 3.500 efektivë të Policisë Rrugore e policë bashkiakë të Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, tri qytetet e përshkuara nga çiklistët.
“Nisja e Madhe” e Xhiros së Italisë, siç quhen etapat fillestare të “Giro d’Italia”, ofruan një mundësi të jashtëzakonshme për të promovuar bukuritë natyrore të Shqipërisë, duke e vendosur vendin në qendër të vëmendjes botërore dhe duke e lidhur atë me emocionet dhe shpejtësinë e një prej garave më të mëdha të çiklizmit.