Opsione ushtarake dhe kibernetike në tryezën e Trump për Iranin

trump-2

Presidenti amerikan Donald Trump është informuar për një gamë të gjerë opsionesh ushtarake dhe të fshehta për përdorim të mundshëm ndaj Iranit. Kështu kanë deklaruar dy zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes për CBS News, teksa shtojnë  se sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi mbeten një nga opsionet për një ndërhyrje të mundshme të SHBA-së. Krahas tyre, Pentagoni ka paraqitur edhe alternativa të tjera, përfshirë operacione kibernetike dhe fushata të ndikimit psikologjik.

Tensionet janë përshkallëzuar më tej pasi Trump njoftoi vendosjen e një tarife prej 25% për mallrat nga vendet që kanë lidhje tregtare me Iranin. Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë se mbi 600 protestues janë vrarë gjatë tri javëve të protestave antiqeveritare në vend.

Ministri i Jashtëm i Iranit ka deklaruar se Teherani mbetet i hapur për bisedime me Uashingtonin, por ka theksuar se vendi është “i përgatitur për luftë”.

Sipas burimeve, ekipi i sigurisë kombëtare i presidentit pritet të zhvillojë të martën një takim në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar opsionet ndaj Iranit, megjithëse nuk është e qartë nëse vetë Trump do të jetë i pranishëm.

Më herët, presidenti amerikan kishte paralajmëruar se ushtria e SHBA-së po shqyrtonte “mundësi shumë të forta” për të ndërhyrë nëse do të vazhdonin vrasjet e protestuesve. Ai ka pohuar gjithashtu se udhëheqësit iranianë e kanë kontaktuar për negociata, por ka shtuar se SHBA-të “mund të duhet të veprojnë përpara çdo takimi”.

Ndërkohë, rënia e monedhës iraniane dhe keqmenaxhimi ekonomik kanë thelluar pakënaqësinë publike, duke u shndërruar në një krizë legjitimiteti për Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.