Operacioni antidrogë Shqipëri–Itali–Spanjë, EUROPOL prangos 28 persona, shqiptarët menaxhonin platformën e komunikimit
Një operacion i drejtuar nga EUROPOL u finalizua natën e shkuar, ku u përfshinë tri shtete: Shqipëria, Italia dhe Spanja e ku në total u prangosën 28 persona.
Të dhënat e publikuara nga vetë EUROPOL bëhet me dije se anëtarët e këtij grupi janë pjesë e organizatës kriminale ‘Ndrangheta.
Italianët në bashkëpunim me një tjetër grup kriminal spanjoll organizonin transportin e ngarkesave nga portet e Spanjës dhe Holandës drejt Italisë, dhe shpërndarjen e mëtejshme në kryeqytet.
Dyshohet se rrjeti ka trafikuar 1.019 kilogramë kokainë dhe 1.497 kilogramë hashash në mbi 80 operacione.
Lënda narkotike dyshohet se është blerë në Amerikën e Jugut dhe është futur në Evropë përmes porteve si “Gioia Tauro”, me ndihmën e ndërmjetësve kalabrezë.
Hetimi ka zbuluar përdorimin e teknologjisë së avancuar për komunikim të fshehtë. Anëtarët e grupit përdornin mesazhe të koduara, përmes pajisjeve të siguruara nga një rrjet kriminal shqiptar, ndërsa personi përgjegjës për këto pajisje u arrestua gjatë operacionit.
