Operacion antidrogë në BE- 85 të arrestuar në disa vende, zbulohen 24 laboratorë
Tetëdhjetë e pesë persona janë vënë në pranga nga forcat europiane të zbatimit të ligjit, pasi dyshohet se ishin të përfshirë dhe bënin pjesë në një rrjet që prodhonte dhe shpërndante lëndë narkotike sintetike në disa vende të BE-së.
Sipas një njoftimi për shtyp, publikuar në faqen zyrtare të Europol, gjatë një operacioni ku u angazhuan forca të zbatimit të ligjit nga Belgjika, Republika Çeke, Gjermania, Holanda, Polonia dhe Spanja, u arrit shpërbërja e këtij rrjeti të mirëorganizuar.
Operacioni përfshiu arrestimin e personave të dyshuar, zbulimin e 24 laboratorëve industrialë dhe sekuestrimin e rreth 1 mijë ton lëndësh kimike që përdoren për prodhimin e lëndëve narkotike sintetike, të cilat shpërndaheshin në rrugë si amfetamina dhe metamfetamina.
Në njoftimin e Europol, operacioni cilësohet si më i madhi i këtij lloji dhe si një goditje e fuqishme ndaj krimit të organizuar.
Dy nga të dyshuarit, shtetas polakë, besohet se ishin drejtuesit e këtij rrjeti.
Hetimi për rastin nisi në vitin 2024, kur Policia Polake vuri re një rrjet që importonte sasi të mëdha lëndësh kimike të ligjshme nga Kina dhe India.
Më pas u vu re se këto lëndë ripaketoheshin, iu vihen etiketa të ndryshme nga përmbajtja reale dhe rishpërndaheshin në laboratorë në disa vende të BE-së, ku prodhohej droga.
