Olimpiada Dimërore në RTSH/ Flamurmbajtësja Lara Colturi parakalon e para në Cortina
Skiatorja 19-vjeçare e Shqipërisë do të hapë parakalimin në Cortina d’Ampezzo dhe ka marrë vëmendjen e italianëve.
Shqipëria përfaqësohet me 4 sportistë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026, që transmetohen në RTSH. Lara Colturi është sportistja që do të mbajë flamurin e Shqipërisë në ceremoninë e hapjes në Cortina d’Ampezzo.
Prestigjiozja italiane “La Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull skiatores 19-vjeçare nga Piemonte. “Lara Colturi zgjodhi të garojë për Shqipërinë tre sezone më parë. Ajo është vajza e Daniela Ceccarelli-t, kampione olimpike në superG në Salt Lake City 2002. Lara këtë sezon ka arritur 4 pode në slalom (2 vende të dyta dhe 2 të treta) dhe u rendit e 6-ta në gjigantin e Kranjska Gora”, – shkruhet në artikull.
Parakalimin e sportistëve në Milano do ta hapë Armenia, me patinatorët Karina Akopova dhe Nikita Rakhmann. Në Cortina e para që do të parakalojë do të jetë pikërisht Colturi, kurse në mbyllje do të dalin në skenë flamurmbajtësit e Italisë, Arianna Fontana dhe Federico Pellegrino në Milano, Federica Brignone dhe Amos Mosaner në Cortina.
