“Olbania” çelet në Marubi / Ekspozita sjell një reflektim artistik mbi stereotipet për Shqipërinë

sara marubi

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” u çel ekspozita “Olbania” e kolektivit artistik italian Alterazioni Video, një projekt që sjell një reflektim kritik dhe artistik mbi marrëdhëniet historike, kulturore dhe imagjinare mes Shqipërisë dhe Italisë.

Gjatë ceremonisë së hapjes, kuratorja Sara Dolfi Agostini ndau me të pranishmit detaje mbi idenë dhe konceptimin e ekspozitës, duke vënë theksin te mënyra se si “Olbania” është ndërtuar mbi stereotipe, arkiva vizuale dhe perceptime të krijuara ndër vite për Shqipërinë, veçanërisht në periudhën e tranzicionit dhe shpërthimit të platformave digjitale.

“Olbania paraqet një Shqipëri tjetër; është një Shqipëri që populli i internetit e ka shpikur në një periudhë tranzicioni teknologjik mes viteve 2009 dhe 2010, kur u kalua drejt përdorimit të platformave digjitale. Ekspozita krijon fokusin tek mitologjitë dhe stereotipet ballkanike.”

“Kjo ekspozitë është një komunikim mes Italisë dhe Shqipërisë në planin artistik, në planin e imazhit, në planin e njohjes dhe të rishikimit të historisë së njëri-tjetrit, ashtu siç italianët këtu shikojnë një histori të kaluar të Shqipërisë, po ashtu siç shpesh shqiptarët kanë parë historinë italiane.”

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, vlerësoi ekspozitat si pjesë thelbësore të kalendarit vjetor të institucionit edhe për vitin e ardhshëm.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” deri në shkurt 2026.

ekspo marubi