OKB: Të drejtat e njeriut, thelbësore e të përditshme

1702195502_ditanderkombetareetedrejtavetenjeriut

Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, dita e sotme i kushtohet të drejtave të njeriut.

Dita e të Drejtave të Njeriut festohet çdo vit, në mbarë botën, më 10 dhjetor. Ajo përkujton Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, një dokument historik i cili ruan të drejtat e patjetërsueshme që çdo njeri ka të drejtë si qenie njerëzore, pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, gjinia, gjuha, opinionet politike ose të tjera, origjina kombëtare ose sociale, pasuria, lindja ose statusi tjetër.

Deklarata u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Paris më 10 dhjetor 1948 dhe përcakton, për herë të parë, të drejtat themelore të njeriut që duhet të mbrohen në mënyrë universale.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut gjendet në 577 gjuhë, nga abkhazia në zulu, duke e bërë atë, dokumentin më të përkthyer në botë.

Tema për vitin 2025 është “Të drejtat e njeriut, thelbësore e të përditshme”. OKB fton që në këto kohë trazirash e paparashikueshmërie, të riafirmohen vlerat e të drejtave të njeriut të cilat mbeten një propozim fitues për njerëzimin. Fushata thekson se të drejtat e njeriut janë pozitive, thelbësore dhe të arritshme.