Oferta evropiane për Dodaj / Xhaferi: Dodaj mund të transferohet pranë një klubi hungarez, por do të luajë për Vllazninë në Kupat Evropiane

dodaj kevin

Sulmuesi i talentuar i Vllaznisë, Kevin Dodaj, është në qendër të interesit të disa klubeve europiane.

 Presidenti i klubit, Alban Xhaferi, ka konfirmuar se lojtari ka marrë disa oferta, ndër të cilat më konkrete duket ajo nga një skuadër hungareze.

Megjithatë, pavarësisht interesimit për transferimin e tij, Xhaferi siguron se Dodaj do të jetë pjesë e formacionit të Vllaznisë në ndeshjet e turit të parë të Conference League.

Në prag të sfidës së rëndësishme kundër BFC Daugavpils nga Letonia, presidenti i kuqebluve i ka bërë thirrje tifozëve shkodranë që të jenë të pranishëm në “Elbasan Arena” për të mbështetur skuadrën.

Thirrjes së tij i janë përgjigjur menjëherë “Ultrasit shkodranë”, të cilët përmes një postimi në rrjetet sociale kanë bërë të ditur se do të udhëtojnë drejt Elbasanit të enjten në orën 15:30, me autobusë të vënë në dispozicion falas nga klubi.

Ndeshja Vllaznia – BFC Daugavpils, e vlefshme për turin e parë të UEFA konference Ligë, do të zhvillohet mbrëmjen e së enjtes në stadiumin “Elbasan Arena”.