Obot, kalimi vetëm me mjete të larta / Vau Dejës, 15 familje me prezencë uji
Mëngjesin e kësaj të mërkurë ka prezencë uji në disa zona tokash bujqësore dhe oborre banesash.
Në zonën e Obotit, në rrugën kryesore evidentohet prezencë uji në nivelin 30 deri në 40 centimetra, duke lejuar qarkullimin vetëm për mjetet e larta. Gjithashtu, ka ujë në disa oborre banesash dhe sipërfaqe toke bujqësore.
Në Bashkinë Vau Dejës, gjatë mbrëmjes së kaluar janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar.
Përroi i Glinës dhe ai i Gjadrit kanë shfaqur tendencë rënieje të nivelit të ujit.
Në Njësinë Administrative Bushat, në fshatrat Mal i Jushit dhe Hoten, rreth 15 familje raportohen të bllokuara nga prezenca e ujit, ndërsa strukturat vendore janë në gatishmëri dhe ndjekin nga afër situatën.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, gjatë natës janë regjistruar reshje me intensitet të ulët, pa problematika të evidentuara.
Situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Në fshatin Kamicë, përroi i thatë është tërhequr nga rruga.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz, vijojnë reshje shiu me intensitet të ulët. Si pasojë e reshjeve të ditëve të mëparshme janë evidentuar shkarje dherash, rënie gurësh dhe prezencë uji në disa akse auto-rurale.
Rrugët janë të hapura për qarkullim dhe po punohet për pastrimin e tyre.Në Bashkinë Pukë, aktualisht vijojnë reshjet intensive të shiut të shoqëruara me erë të fortë, por pa problematika apo emergjenca civile të raportuara deri në këto momente.
Sipas të dhënave zyrtare, niveli i ujit në Urën e Bunës është 1.80 metra, Liqeni i Shkodrës ndodhet në kuotën 7.7 metra, ndërsa në Dajç niveli është 6.2 metra.
Sa i takon rrugëve malore janë të hapura me perjashtim të aksit Prekal-Kir.
