”Një fazë e re në zhvillimin energjetik”, Balluku: 100 milionë euro në vit përfitim për qytetarët nga ulja e tarifave

Screenshot_36-2

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një takimi me krerë të institucioneve në varësi, mbi arritjet, sfidat dhe masat e marra për menaxhimin e sezonit turistik, theksoi se Shqipëria është shndërruar në një vend gjithnjë e më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë në sektorin e energjisë së pastër, të cilët po ndërtojnë parqe fotovoltaike dhe eolike në disa zona të vendit.

Ajo u shpreh se çmimi i energjisë elektrike do vazhdojë të ulet dhe kjo realizohet për shkak të performancës së mirë që ka bërë sistemi elektro-energjetik në vend.

Kemi garantuar zhvillim të mbështetur në burimet e rinovueshme të energjisë. Shqipëria është bërë tërheqëse për investime ndërkombëtare në energjinë e rinovueshme. Shëndoshja financiare e sektorit elektrik solli një sërë rezultatesh të mira. Ulja e çmimit të energjisë është historike, Shqipëria ka më shumë kapacitete prodhuese.  Çmimi i energjisë do vijojë të ulet”, tha ajo

Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit energjetik, shtoi Balluku, duke u bazuar në investime të qëndrueshme, reformim të tregut dhe rritje të kapaciteteve prodhuese dhe transportuese.

Këto zhvillime kanë sjellë jo vetëm siguri energjetike, por edhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët përmes uljes së ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike. Janë shtuar 500 megavat orë energji të prodhuar nga parqet diellore, duke kontribuar në diversifikimin e portofolit energjetik të vendit. Këto kapacitete të reja, vuri në dukje ajo, nuk sigurojnë vetëm qëndrueshmëri për sistemin, por edhe rrisin potencialin ekonomik përmes eksportit të energjisë‘, tha ajo.

Zëvendëskryeministrja nënvizoi se “Prodhimi 100% nga burime të pastra tashmë është një realitet në vend, duke e renditur Shqipërinë ndër shtetet më të avancuara në këtë aspekt në Europë.”

Zv/kryeministrja Balluku vuri në dukje se zhvillimi i qëndrueshëm nuk ka ardhur vetëm nga investimet, por edhe nga performanca e lartë e kompanive publike, siç është rasti i OSHEE Group, që në vitin 2024 shënoi fitim prej 7,3 miliardë lekësh.

Këto të ardhura janë reflektuar në përmirësimin e shërbimit, investime në rrjet dhe mundësi për ulje të tarifave për konsumatorët. Nga kjo ulje, qytetarët përfitojnë rreth 100 milionë euro në vit. Një ndër objektivat madhorë të qeverisë, siç e theksoi Balluku, është që deri në vitin 2030, Shqipëria të bëhet një eksportuese neto e energjisë elektrike, me fokus të veçantë tek energjia e rinovueshme.

Prodhimi 100% nga burime të pastra tashmë është një realitet në vend, duke e renditur Shqipërinë ndër shtetet më të avancuara në këtë aspekt në Europë”.