Një ditë pas betimit në Kuvend, Endrit Shabani merr detyrën si Avokat i Popullit
Avokati i ri i Popullit, Endrit Shabani ka marrë sot zyrtarisht detyrën, një ditë pas betimit të tij përpara Kuvendit të Shqipërisë, duke nisur ushtrimin e mandatit kushtetues që i është besuar.
Prezantimi zyrtar i Avokatit të ri të Popullit përpara komisionerëve, administratës dhe stafit të institucionit u krye nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, z. Genci Gjonçaj, në përputhje me procedurat kushtetuese dhe në frymën e vijimësisë institucionale.

Institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson kontributin e Erinda Ballancës, e cila ka drejtuar për 8 vite dhe ndërsa ka vijuar të ushtrojë funksionin edhe përtej afatit kushtetues, ka garantuar stabilitet institucional, vazhdimësi të veprimtarisë në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në një periudhë me sfida të shumta.
Zgjedhja e drejtuesit të ri vjen në një moment të rëndësishëm për institucionin dhe për vendin, ndërsa Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit evropian, një proces ku respektimi dhe garantimi i lirive e të drejtave të njeriut përbën një vlerë qendrore dhe një standard të patjetërsueshëm.

