Nisma “Studio në Shqipëri”, Manastirliu: Universitetet tona me oferta të larmishme dhe partneritete europiane

Manastirliu

Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të dytin vit radhazi, ka nisur fushatën informuese “Studio në Shqipëri”. Kjo nismë, në bashkëpunim me universitetet publike në vend, synon të ofrojë informim të plotë për maturantët mbi programet e reja të studimit, partneritetet ndërkombëtare të universiteteve shqiptare, programet me diploma të dyfishta dhe ato në gjuhë të huaj. Fushata vë theksin gjithashtu në promovimin e degëve të mësuesisë dhe programeve që kërkohen në tregun e punës.

Fushata do të zhvillohet në EduLab, në një bisedë të hapur me studentë që kanë zgjedhur tashmë të studiojnë në Shqipëri, si dhe me drejtues të universiteteve.

Duke vënë në fokus një nga reformat më të rëndësishme që po zbatohet aktualisht, Manastirliu në një bashkëbisedim me Rektorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Dr. Fatbardh Sallaku, dhe dy studentë të këtij universiteti, theksoi rëndësinë e fushatës dhe transformimeve që po ndodhin në arsimin e lartë.

“Sot në EduLab, në një takim ndryshe dhe në një moment të rëndësishëm për maturantët që do të zgjedhin të studiojnë në Shqipëri. Kanë një ofertë të larmishme në universitetet tona. Ministria e Arsimit, gjatë këtij viti, me kërkesën e arsimit të lartë dhe duke u bazuar në nevojat e tregut të punës dhe në drejtimet strategjike të vendit tonë, ka vijuar të pasurojë me programe të reja ofertën akademike,” u shpreh Ministrja.

Duke u ndalur në një nga reformat më të rëndësishme që po zbatohet aktualisht në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Ministrja Manastirliu foli për bashkëpunimin konkret të këtij universiteti me Universitetin BOKU të Vjenës.

Një nga reformat transformuese që po ndodh në arsimin e lartë është ajo që po ndodh sot në Universitetin Bujqësor të Tiranës me Universitetin BOKU të Vjenës, dy universitete që janë duke punuar tashmë përmes një ekspertize dhe një mbështetjeje strategjike për të riorganizuar fakultetet dhe programet e studimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke i njësuar këto programe me ato të BOKU të Vjenës.”, tha ajo.

Gjithashtu, Ministrja Manastirliu bëri me dije se do të vijojë reforma në drejtim të ndarjes së programeve të studimit në sistemin major dhe minor, në përputhje me standardet europiane, që u mundëson studentëve profilizim të hershëm dhe fleksibilitet në formimin e tyre akademik.