Nisin kontrollet për tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, bulmeti dhe mishi pa faturë do konfiskohen

kontrollet për tregtimin

Prej kësaj të hëne, 14 korrik, kanë hyrë në fuqi detyrime të reja ligjore për faturimin tatimor të të gjitha produkteve ushqimore bujqësore dhe blegtorale që dalin në treg. Në kuadër të aksionit të përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Financave dhe Administratës Tatimore, kanë nisur inspektimet në terren për të garantuar sigurinë ushqimore të produkteve të bulmetit dhe mishit që shiten pa faturë dhe cetifikatë sigurie.

Aksioni ka si qëllim të rrisë sigurinë mbi origjinën dhe përbërjen e produkteve ushqimore, të mundësojë mbështetje fiskale për fermerët që formalizohen dhe të rrisë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregun vendas dhe të eksportit. Subjektet që tregtojnë produkte ushqimore pa faturë do të përballen me konfiskim të mallit dhe ndëshkime sipas ligjit.

518761378 1290777395751252 3693969015301053045 n

Sipas nismës, çdo operator i biznesit ushqimor, përfshirë fermerët që tregtojnë prodhimin e tyre, është i detyruar të lëshojë faturë tatimore për çdo shitje. Faturimi elektronik (E-fatura) do të jetë forma standarde e raportimit, duke garantuar gjurmueshmërinë e produkteve dhe sigurinë ushqimore për konsumatorët.

Më herët edhe kryeministri Edi Rama theksoi se mosfaturimi për qumështin, mishin dhe bulmetin e freskët kërcënon shëndetin e konsumatorëve dhe kjo, shtoi ai, nuk do të lejohet më.

“Me pezullimin AKU-së kanë nisur konfiskimet e produkteve ushqimore që tregtohen pa faturë, sidomos bulmetit dhe mishit, të cilat konsiderohen mall pa siguri ushqimore”, tha Rama.

Gjithashtu kryeministri e cilësoi sigurinë ushqimore edhe një nga shërbimet më problematike të vendit lidhur me negociatat për anëtarësimin në BE.