Nis seanca plenare, opozita dhe mazhoranca në konsensus për shtyrjen e diskutimeve të disa pr.ligjeve
Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur konsensus në Kuvend për shtyrjen e diskutimeve të disa prej projektligjeve nga rendi i sotëm i ditës së seancës plenare.
Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka deklaruar se diskutimi i 19 projektligjeve në një seancë të vetme ka për qëllim vetëm miratimin e tyre për t’u hedhur “hi syve shqiptarëve”. Ai theksoi se një numër kaq i madh projektligjesh, edhe për nga vetë rëndësia e tyre, do duhej të diskutoheshin në seanca të ndara.
“Kam përcaktuar dhe paralajmëruar se po tentohet që kjo hapësirë të bëhet pa arsye.
Sot po e shoh, që kjo hapësirë po bëhet tërësisht e çmendur. Listuat një seri pr.ligjesh. i keni ndërkallur, ndërfutur të përmbledhur në 1 seancë. Kjo është pa arsye.
Këtë parlament po e bëni të çmendur dhe qesharak. Secili nga pr.ligjet mund të kërkojë seancë më vete. Të fusësh 19 pr.ligje të rëndësishme në një seancë, është për t’i hedhur hi syve shqiptarëve. Përse nuk shtojmë seancat e Parlamentit? Nuk ka asnjë ndalesë. Kjo është për t’i marrë frymën parlamentit”, deklaroi Boçi.
Pas Boçit, kreu i grupit parlamentar socialist kërkoi shtyrjen për një javë më pas të 4 projektligjeve, konkretisht të pr.ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”; projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar; projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”; si dhe projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.
“Ndoshta do duket sikur kemi bërë ndonjë marrëveshje, por edhe në funksion të asaj që sapo tha kolegu, bazuar në Rregullore, do kërkoja shtyrjen për 1 javë të shqyrtimit të 4 pr.ligjeve, ka të bëjë me faktin që janë pr.ligje qëd uhen rakorduar fjalë për fjalë me KE. Propozoj që projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”; projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar; projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”; si dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, të shtyhen për javën pasardhëse. Lehtësojmë disi axhendën e ditës së sotme. Besoj se dhe kolegët e opozitës janë dakord”, tha Balla.
