Nis punimet Samiti për Planin e Rritjes, liderët e BE dhe Ballkanit në Shkup

Ka nisur punimet Samiti kushtuar Planit të Rritjes ku ka mbledhur në Shkup liderët e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Në samitin, i cili organizohet nga kryeministri Hristijan Mickoski, marrin pjesë Komisionerja Evropiane për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë së Mirë, Marta Kos, Kryeministri Edi Rama e udhëheqës të tjerë nga Ballkani Perëndimor, si dhe ministra, përfaqësues të lartë nga Bashkimi Evropian, organizata rajonale dhe institucione ndërkombëtare.
Dy panele do të mbahen si pjesë e takimit të liderëve, i pari prej të cilëve do t’i kushtohet Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Paneli i dytë do t’i kushtohet mekanizmave specifikë dhe mbështetjes për zbatimin e Planit të Rritjes.
Ky samit do të jetë një mundësi për të vlerësuar progresin e arritur dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm dhe për të forcuar integrimin evropian të rajonit.
Rama takohet me kreun e BDI, Ali Ahmetin
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, kryeministri Rama u takua me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa nuk dihet ende se çfarë është diskutuar mes dyshes.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ahmeti në rrjetin social Facebook ku ndërsa e konsideron takimin me kreun e qeverisë shqiptare si vëllazëror, bën me dije se në fokus të bisedës ka qenë integrimi europian i rajonit, kërcënimet serioze që kanoset ndaj Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe forcimi i raporteve shtetërore mes Maqedonisë e Shqipërisë.
“Takim vëllazëror në Shkup me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në kuadër të Konferencës për Bashkimin Europian.
Në një kohë kur Shqipëria është në një rrugë të pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, e ritheksuam se edhe Maqedonia e Veriut duhet të jetë pjesë e kësaj rruge. E ardhmja europiane e rajonit është e përbashkët, nuk ka ndarje në këtë proces.
Diskutuam për:
– Kërcënimet serioze ndaj Marrëveshjes së Ohrit;
– Marrëdhëniet ndëretnike në vend;
– Rëndësinë e forcimit të raporteve shtetërore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.
Ky ishte një takim i sinqertë, me thellësi politike dhe vëllazërore, në funksion të barazisë dhe perspektivës europiane”, shkruan Ahmeti, ndërsa falënderon më tej Kryeministrin Rama për mbështetjen e vazhdueshme që i jep çështjes shqiptare dhe rrugës europiane të Maqedonisë së Veriut.

