Nis protesta e PD-së para kryeministrisë, Berisha i bashkohet protestuesve. Rreth 1400 forca policore në terren
Ka nisur protesta e Partisë Demokratike përballë kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa protestuesve i është bashkuar edhe kryedemokrati Sali Berisha.
Policia ka marrë masa për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë protestës, ndërsa bëhet me dije se rreth 1400 efektivë janë në terren.
Të angazhuara janë edhe forcat RENA, Forcat Speciale Shqiponja dhe FNSH. Rreth godinës së kryeministrisë është vendosur edhe një gardh metalik, që do të qëndrojë mes protestuesve dhe kordonit policor.
Ndërkohë, lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, e cila më herët ishte vendosur tek kryeministria, është spostuar përkohësisht nga aty, duke mos iu bashkuar protestës së PD-së.
Kjo protestë e PD-së vjen pas 5 protestave të zhvilluara në javën e fundit përballë kryeministrisë, çdo ditë të hëne. PD kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar se opozita do të intensifikojë veprimet e saj, duke diversifikuar format e protestës, nga tubimet e zakonshme deri te grevat dhe grevat e urisë, nëse kjo do të shihet si e domosdoshme për përmbushjen e qëllimit të tyre.
Belind Këlliçi në protestën e PD-së: Edi Rama duhet të japë dorëheqjen tani
Në protestën e Partisë Demokratike të zhvilluar para Kryeministrisë, deputeti demokrat Belind Këlliçi kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, vendi ndodhet në një moment të vështirë, pro po ashtu edhe përballë një shprese.
“Ajo që do të vendosim sot do të jetë një precedent për të ardhmen, një precedent që në të ardhëm nuk do ta përmbysin dot më. Edi Rama duhet ta japë dorëheqjen tani, edhe si një akt emergjence kombëtare. Shqipëria është në një moment shumë të vështirë, por edhe buzë një shprese të re sepse zgjidhjet, kapacitete dhe njerëzit janë këtu. Ky vend nuk ka marrë fund. Demokracia nuk vdes në një ditë, vdes vetëm kur njerëzit binden se nuk ka alternativë”, tha ai.
