Nis projekti “Smart City Albania”, Koçiu: Mbi 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete, të parët në rajon

Koçiu

Ka nisur zbatimi i projektit “Smart City Albania”, i cili synon instalimin e një sistemi të avancuar sigurie përmes kamerave inteligjente, duke e renditur Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë edhe në fushën e sigurisë publike. Projekti do të vendosë standarde të reja monitorimi në rrugët e qyteteve, shkolla dhe mjedise të tjera publike.

Gjatë aktivitetit prezantues, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, theksoi se qyteti inteligjent është ai që parandalon rrezikun përpara se ngjarja të ndodhë dhe reagon shpejt ndaj emergjencave.

“Qyteti inteligjent është qyteti që sheh rrezikun para se të ndodhë ngjarja, që parandalon dhe reagon shpejt, që rrit sigurinë me një mik të padukshëm, por gjithmonë të pranishëm. Është qyteti ku teknologjia merr kuptim sepse e bën jetën më të mirë. Ky vizion, nga sot, bëhet realitet përmes këtij partneriteti”, u shpreh Koçiu.

Ministrja bëri të ditur se me nënshkrimin e marrëveshjes, Shqipëria bëhet pjesë e një grupi elitar vendesh që përdorin inteligjencën artificiale në shërbim të sigurisë publike. Ajo theksoi se sistemi i kompanisë zbatuese përdoret aktualisht në katër kontinente dhe 19 shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Jordaninë.

Sipas Koçiut, Shqipëria do të jetë vendi i parë në rajon që do të ketë një sistem të integruar sigurie dhe menaxhimi urban në 20 qytetet më të mëdha dhe në arteriet kryesore të vendit. Projekti “Smart City” do të lidhë kamerat inteligjente, analizën e të dhënave në kohë reale, menaxhimin e trafikut, patrullimin dhe reagimin ndaj emergjencave, me fokus të veçantë te parandalimi.

Ministrja shpjegoi se në kuadër të projektit, parashikohet instalimi i mbi 5 mijë kamerave inteligjente në 20 qytete të vendit, si dhe 3 mijë kamera trupi që do të vendosen në uniformat e efektivëve të Policisë së Shtetit. Po ashtu, Koçiu shtoi se, do të instalohen radarë inteligjentë dhe sensorë për matjen e zhurmës në akset kryesore rrugore.

Koçiu thekson se zbatimi i këtij projekti pritet të sjellë rreth 30% rritje të zbulueshmërisë së ngjarjeve kriminale, deri në 45% ulje të fataliteteve nga aksidentet rrugore, 30% reduktim të kohës së shpenzuar nga qytetarët për shërbime publike dhe ulje të ngarkesës administrative për Policinë e Shtetit, duke forcuar njëkohësisht transparencën dhe reagimin e shërbimeve të emergjencës.

“Do vendosim mbi 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete të Shqipërisë. Këto janë sisteme të Inteligjencës artificiale që sinjalizojnë në mënyrë autonome, janë 3 mijë kamera të trupit që do instalohen në uniformat e efektivëve të policisë së shtetit.

Do instalohen kamera, radarë inteligjentë e sensorë për matjen e zhurmës në arteriet kryesore të vendit.

Të kemi 30% më shumë të zbulueshmërisë të ngjarjeve kriminale, deri në 45% reduktim të fataliteteve të aksidenteve rrugore, 30% më pak kohë të shpenzuar në publik, 30% më pak ngarkesë administrative për policinë e shtetit“, deklaroi Koçiu.