Ngërçi politik në Kosovë, Osmani nis takimet me partitë politike, pret Albin Kurtin

Osmani nis takimet

Ngërçi politik në Kosovë, i ardhur konkretisht nga dështimi i 40 seancave plenare për konstituimin e Kuvendit, ka nxitur Presidenten Vjosa Osmani për të thirrur në takim krerët e subjekteve politike për gjetjen e një rruge e konsensusi për normalizimin e situatës.

Këtë të mërkurë (2 korrik) Osmani është takuar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ku pjesë e bisedimeve do të jetë pikërisht ngërçi në Kuvend.

Kurti është i pari lider që ka nisur takimin me Osmanin, teksa kryetarja e shtetit ka bërë me dije më herët se do të presë gjithashtu për bisedime, po sot, edhe liderë të tjerë të subjekteve politike 

Kujtojmë se më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese kërkoi nga deputetët që të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit brenda 30 ditëve, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.

Lënda u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa deputetë të tjerë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Por pavarësisht këtij aktgjykimi, partitë politike nuk kanë gjetur gjuhën e konsensusit mes tyre, duke mos prodhuar asnjë zgjidhje për situatën.