Nga “The Voice Australia” në Fest 64, Sihana Haxhinikaj gati për skenën e madhe

sihana haxhinikaj

Festivali i 64-t i Këngës në RTSH do të mbahet më 17–20 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, ku 28 artistë do të konkurrojnë për çmimin e madh dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion 2026, i cili këtë vit do të zhvillohet në Vjenë.

E ftuar në studion e emisionit “Eja te Ne” në RTSH 1, këngëtarja Sihana Haxhinikaj foli për pjesëmarrjen e saj për herë të parë në Fest 64 me këngën “Horizont”.

“Gjithmonë e kam dashur muzikën dhe kam shkuar në mësime muzike, kam qenë pjesë e kompeticionit “The Voice Australia” me Rita Orën në team por e kam pasur ëndërr që të marrë pjesë ne Festivalin e Këngës dhe jam shumë e lumtur që do të marr pjesë këtë vit”, u shpreh Sihana.

Ajo theksoi se dëshira e saj ka qenë të krijojë një këngë që të prekë të gjithë dhe të dëgjohet nga publiku shqiptar dhe jo vetëm. Me “Horizont”, Sihana Haxhinikaj synon të sjellë një mesazh gjithëpërfshirës dhe të lërë gjurmë në skenën e Festivalit të Këngës.

“Gjithmonë kam dashur të bëj një këngë për të gjithë dhe që dëgjohet nga të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm dhe kam dëshirë që të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion. Me Florent Boshnjakun kam punuar dhe i kam thënë që këtë vit dëshiroj të marrë pjesë në Fest 64 dhe dua të punoj me të. Fillimisht kënga ishte në anglisht dhe pastaj teksti  u përshtat në shqip”, tha ajo.