Nga Amerika në konkursin “Pjetër Gaci” / Gabriel Darragjati, 12-vjeçari me origjinë nga Shkodra konkuron në piano

Në edicionin e 24-të të konkursit ndërkombëtar “Pjetër Gaci”, skena e Teatrit “Migjeni” u ndriçua nga talenti i një pianisti të ri: 12-vjeçari Gabriel Darragjati.
Me origjinë nga Shkodra, Gabriel ka lindur në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara, por dashuria për muzikën dhe lidhja me vendlindjen e prindërve të tij janë po aq të forta sa tingujt e pianos që ai interpreton.
“Pasioni im për pianon është i hershëm dhe për mua arti dhe muzika janë gjithçka. Ushtrohem çdo ditë nga dy orë. E dua shumë Shqipërinë dhe Shkodrën”, shprehet Darragjati.
Pasionin për këtë instrument e ka të trashëguar nga familja.
Nëna e tij, Dea Baba, ka qenë dikur një pianiste dhe sot mbetet mbështetësja më e madhe e të birit.
Ajo tregon se talenti i Gabrielit u shfaq që në moshë të vogël dhe se ai e jeton artin me shpirt, përkushtim dhe ndjeshmëri të rrallë.
Performanca e Gabrielit në këtë kompeticion tregoi jo vetëm nivelin e lartë artistik të tij, por edhe rëndësinë e trashëgimisë kulturore që brezat e rinj bartin me krenari.
Me duart e tij të vogla, por të sigurta, ai solli emocion dhe entuziazëm në sallën e Teatrit “Migjeni”.
Konkursi “Pjetër Gaci”, i kthyer tashmë në një traditë të çmuar për promovimin e talenteve të rinj në muzikën klasike, vijon të nxjerrë në pah figura të reja premtuese si Gabriel Darragjati, një emër që me siguri do të dëgjohet edhe më shumë në të ardhmen.