“Nevojë për infrastrukturë e fuqi punëtore”, Dhoma Amerikane e Tregtisë rendit disa shqetësime për turizmin
Ndërsa numri i turistëve rritet dhe investimet në sektor shtohen, pas suksesit të industrisë së turizmit fshihen ende sfida serioze që rrezikojnë ecurinë e tij pozitive.
Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) vlerëson turizmin si një nga historitë më të suksesshme të ekonomisë shqiptare në vitet e fundit, por paralajmëron se pa ndërhyrje të shpejta dhe të qëndrueshme, ky sukses mund të zbehet.
“Në disa prej zonave bregdetare më të frekuentuara, anëtarët tanë raportojnë ende mungesë të ujit të pijshëm, keqmenaxhim të ujërave të zeza, djegie të mbetjeve dhe ndërtim të vazhdueshëm edhe gjatë sezonit turistik. Këto problematika ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e hoteleve dhe restoranteve, por edhe në përvojën e vetë turistëve,” vlerëson Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Ndërkohë, mungesa e stafit të kualifikuar mbetet një sfidë serioze për bizneset turistike.
“Bizneset në sektorin turistik po përballen me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore të trajnuar. Kjo jo vetëm që ul standardin e shërbimeve, por rrezikon të dëmtojë imazhin dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë si një destinacion serioz në rajonin e Mesdheut,” thekson AmCham.
Ajo i bën thirrje qeverisë dhe pushtetit lokal të ndërhyjnë urgjentisht për të ruajtur këtë momentum pozitiv të sektorit.
