“Nëntipi “K” i virusit të gripit, jo prezent në Shqipëri”, ISHP: Virusi që po shqetëson Europën nuk është konstatuar tek ne, vaksinohuni!
Nënvarianti K” i nëntipit “AH3N2” të virusit të gripit, që ka sjellë shqetësim në disa vende të Europës për shkak të saturimit të urgjencave, nuk është identifikuar në Shqipëri. Instituti i Shëndetit Publik deklaron se në vendin tonë po qarkullojnë në mënyrë sporadike viruset AH1N1 dhe AH3N2, ku ky i fundit mbetet, si gjithmonë, më agresiv.
“Virusi AH3N2 është një virus që çdo sezon gripi ka qarkullim masiv, shkakton ashpërsim të simptomave dhe raste të shtruara në spital. Shkakton dhimbje muskulore, temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe mund të shoqërohet me simptoma gastrointestinale”, tha Dr. sh. Iris Hasibra – koordinatore e survejancës laboratorike të viruseve respiratore pranë laboratorit të virologjisë në ISHP.
Ajo që vihet re është rritja e shpejtë e numrit të rasteve në Europë, sepse nëntipi A/H3N2 nuk ka qarkulluar në dominancë sezonin e kaluar. OBSH deklaron se përbërja e vaksinës së këtij sezoni ka një mospërputhje të pjesshme brenda nënvarianteve të nëntipit AH3N2.
“Në komunitetin global shkencor diskutohet një mospërputhje në lidhje me shtamin përbërës, konkretisht për AH3N2. Ky variant është një variant që ka qenë pjesë edhe më parë e përbërjes së vaksinës, por tashmë i kanë vendosur emrin varianti K. Në bazë të vlerësimit të përbërjes së vaksinës, ajo nuk e ka pasur këtë lloj shtami që ka qarkulluar pas daljes së njoftimit për përbërjen e vaksinës në sezonin 2025–2026”, tha ajo.
Por pavarësisht kësaj mospërputhjeje të pjesshme, autoritetet europiane shëndetësore rekomandojnë vaksinim pa vonesa.
“Vaksina duhet përdorur sepse shtami i AH3N2 është gjithmonë prezent në përbërjen e vaksinës dhe siguron një mbrojtje minimale, e cila është e nevojshme për të paraqitur një imunitet sa i përket infeksionit në këtë sëmundje”, nënvizoi Hasibra.
Sipas ISHP, situata epidemiologjike në Shqipëri është e qetë, me shifra infektimesh normale për sezonin.
