Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, PS dhe PD mbyllin sot fushatën në Tiranë

PS dhe PD mbyllin

Sot, (9 maj) zyrtarisht mbyllet fushata zgjedhore e partive politike, për parlamentaret e 11 majit. 

Pas një muaji fushatë, ku dhe kanë shpalosur programet elektorale, dy forcat kryesore, Partia Socialiste dhe koalicioni Partia Demokratike- Aleanca për Shqipërinë Madhështore, takimet përmbyllëse i organizojnë pasdite në kryeqytet, por në sheshe të ndryshme.

Kështu, forca më e madhe politike, ajo qeverisëse, Partia Socialiste, mitingun përmbyllës në Qarkun Tiranë e organizon në Parkut Olimpik, ndërsa PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore tek Bulevardi i Ri.

Të dy krerët e forcave kryesore në vend, nëpërmjet platformës Facebook kanë lajmëruar edhe oraret.

Kështu, kryesocialisti, Edi Rama shkruan: “Me falenderimin për mikpritjen e Vlorës dhe Durrësit, ju ftoj të shihemi sot në Tiranë, ora 19:30”.

Teksa, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha fton qytetarët të bashkohen në mitingun përmbyllës në orën 19.00 tek Bulevardi i Ri.

Ditën e diel, (11 maj), zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme, dhe për here të parë voton edhe diaspora, ndërkohë që të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713 mijë e 761 shtetas shqiptarë, nga të cilët 114 mijë e 642 votojnë për herë të parë.