Në garë për kreun e SPAK, prokurori Xholi: Me rëndësi, pavarësia e institucionit, nevojë për hetime të shpejta e të thella kundër krimit
Adnan Xholi, prokuror në detyrë që prej vitit 2004 dhe kandidati i parë që nisi prezantimin e platformës së tij para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), shpalosi vizionin dhe planin për drejtimin e SPAK-ut.
Gjatë fjalës së tij, Xholi nënvizoi nevojën për hetime të thelluara dhe në kohë të shpejtë, goditjen e kriminalitetit përmes hetimeve penale dhe pasurore, sekuestrimin e aseteve të krimit, çrrënjosjen e pandëshkueshmërisë, si dhe promovimin e barazisë para ligjit.
Ai shtoi se drejtuesi i SPAK-ut duhet të garantojë kushte të favorshme pune dhe të menaxhojë në mënyrë efektive burimet në dispozicion, duke mbajtur ekuilibrin mes interesit publik dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
“Ka ardhur koha që të vijohet me hetime të tejshme cilësore në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin. Prokurorët janë të pavarur, drejtuesi është meanxher i cili ka detyrimin ligjor dhe moral të sigurojë kushte e nevojshme të punës të orientojë burimet në dispozicion. roli i drejtuesit ka në fokus arritjen e rezultateve sa më të suksesshme. Kjo garanci duhet që të ndërtohet mbi ekuilibrin ndërmjet interesit publik në një krah, dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Po aq e rëndësishme është dhe mbrojtja, integriteti dhe pavarësia e institucionit, mbrojta nga sulmet e padrejta që u bëhen magjistratëve dhe prokurorëve.
Përparësia ime do të jetë mbrojtja e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe mbrojtja e integritetit e pavarësisë së institucionit nga sulmet e padrejta që u bëhen magjistratëve,” deklaroi Xholi.
Xholi theksoi më tej se gjatë punës së tij si prokuror ka udhëhequr një gamë të gjerë çështjesh kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke i klasifikuar ato si hetime të rëndësishme.
Në këtë kuadër, ai nënvizoi nevojën për çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe promovimit të barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët.
“Kam udhëhequr disa hetime për një gamë të gjerë çështjesh të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Kam përfaqësuar prokurorinë në të gjitha shkallët e gjykimit dhe përpara se të bëhem pjesë e SPAK. Kam udhëhequr hetime të rëndësishme. Jam drejtues i 5 skuadrave të përbashkëta hetimore.
Jam prokuror që kam pasur hetime paralele me shumicat e vendeve në rang global, përsa i përket çështjeve të lëndëve narkotike, të armëve, të pastrimit të parave, të qenieve njerëzore. Kam bashkëpunuar gjithashtu me homologët e huaj për të goditur grupet kriminale në shtrirje të gjerë.
Ka ardhur koha që të vijohet me hetime në kohë të shpejtë për të goditur kriminalitetin si me hetime penale dhe pasurore me qëllim sekuestrimin e aseteve të krimit, për të çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe promovimin e barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët”, shtoi Xholi.
Ky i fundit theksoi se përvoja dhe aftësitë profesionale e menaxheriale e bëjnë atë një kandidat të denjë për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Ai u ndal veçanërisht tek rëndësia e mbrojtjes së prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe tek konsolidimi i punës së SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas Xholit, institucioni ndodhet në një fazë të rëndësishme konsolidimi.
“E ndjeva privilegjin të aplikoja sepse kam bindjen se plotësoj kriteret formale dhe kam aftësitë e duhura për të drejtuar një nga institucionet kyçe të reformës në drejtësi. SPAK është në proces konsolidimi dhe implementimi të strategjive që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”, tha ai.
Ai shprehu vlerësim maksimal për trupën e prokurorëve të SPAK-ut, duke i konsideruar si një “familje profesionale” dhe duke theksuar se çdo prokuror i këtij institucioni është një kandidat potencial për drejtimin e tij.
