Në Bruksel sot pritet takimi i radhës në kuadër të dialogut

Në Bruksel sot

Në Bruksel sot zhvillohet një raund i ri i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel kryenegociatorësh.

Ky është takimi i parë për vitin 2026 dhe vjen menjëherë pas vizitës që emisari evropian për dialog, Peter Sorensen, realizoi javën e kaluar në Prishtinë dhe Beograd.

Gjatë vitit të kaluar, kryenegociatorët u takuan vetëm dy herë, por pa arritur ndonjë rezultat konkret. Sipas burimeve diplomatike, në këtë raund pritet që Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq të diskutojnë për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit, dokument i miratuar në maj të vitit 2023 nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimet do të nisin në orët e pasdites. Në përputhje me praktikën e vendosur, Sorensen do të zhvillojë fillimisht takime të ndara me kryenegociatorët, përpara se të mbahet një takim i përbashkët BE–Kosovë–Serbi.

Emisari evropian Peter Sorensen ka marrë një mandat dyvjeçar për të ndërmjetësuar procesin e dialogut, duke synuar që të çojë përpara marrëveshjet e arritura dhe të krijojë terren për hapa të rinj në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.