Ndotje alarmante në argjinaturën e Kirit / Hedhja e mbetjeve nga banorë të papërgjegjshëm vijon prej kohësh
Vijon prej kohësh fenomeni i hedhjes së mbeturinave urbane dhe mbetjeve të tjera inerte përgjatë argjinaturës së lumit Kir, një situatë që po kthehet në një shqetësim serioz për mjedisin dhe komunitetin përreth.
Janë kryesisht banorë të zonës ata që, në mungesë të ndërgjegjësimit dhe respektimit të rregullave, depozitojnë mbetje ndërtimi, inerte dhe mbeturina të ndryshme, duke ndotur rëndë këtë zonë.
Kjo sjellje jo vetëm që dëmton pamjen e mjedisit, por përbën edhe rrezik për shëndetin publik, pasi mbetjet e grumbulluara krijojnë vatra ndotjeje dhe favorizojnë përhapjen e insekteve dhe sëmundjeve.
Për më tepër, gjatë reshjeve apo prurjeve të shtuara të lumit, këto mbetje transportohen dhe përfundojnë në det, duke ndikuar negativisht në ekosistemin ujor dhe bregdetar.
Në këto kushte, autoritetet vendore dhe institucionet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë me masa konkrete, duke rritur kontrollin në terren, vendosur gjoba për shkelësit dhe organizuar aksione pastrimi.
Njëkohësisht, është e domosdoshme edhe rritja e ndërgjegjësimit të banorëve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, në mënyrë që kjo situatë të mos përsëritet dhe argjinatura e lumit Kir të ruhet si një hapësirë e pastër dhe e sigurt për të gjithë.
