“Ndezja e qirinjve mbi shishet e shampanjës i vuri flakën tavanit”, si nisi tmerri në Crans-Montana
Ndërsa hetimet zyrtare vazhdojnë, dëshmitë e para të të mbijetuarve po zbardhin dinamikën e tmerrshme të zjarrit që shkrumboi barin “Constellation”.
Dy të reja franceze, Emma dhe Albane, të cilat ndodheshin në ambientet e lokalit në momentin e shpërthimit të flakëve, kanë treguar për televizionin BFM se gjithçka nisi nga një pakujdesi gjatë ceremonisë së hapjes së shampanjës.
Qirinjtë në tavanin prej druri
Sipas dëshmitareve, tradita festive e ndezjes së qirinjve mbi shishet e shampanjës u shndërrua në një kurth vdekjeprurës.
“Një nga qirinjtë mbahej shumë afër tavanit, i cili mori flakë menjëherë. Brenda pak sekondash, i gjithë tavani – i cili ishte i tëri prej druri – ishte në flakë,” treguan të rejat, ende në gjendje shoku.
Nga festa në ferr brenda pak sekondash
Ky detaj shpjegon shpejtësinë e përhapjes së zjarrit, e cila i zuri në befasi rreth 400 personat që ndodheshin brenda. Struktura prej druri, karakteristike për resortet alpine, ka shërbyer si lëndë djegëse e menjëhershme, duke mos u lënë kohë njerëzve të largoheshin drejt daljeve të emergjencës.

/rtsh.al/
