Ndërtoi pa leje, arrestohet 63- vjeçari / Një shtetas 51- vjeçar drejtonte automjetin e i dehur
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka zhvilluar disa veprime procedurale gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërive.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan një 51-vjeçar, banues në fshatin Qelëz, i cili duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, në aksin rrugor “Qerret–Qelëz”, ka humbur kontrollin dhe si pasojë mjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti, drejtuesi i automjetit ka pësuar dëmtime të lehta.
Nga ana tjetër, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan një 63-vjeçar, banues në Shkodër, i cili u kap duke ndërtuar një kapanon me konstruksion metalik pa lejen përkatëse, ndonëse ishte proceduar më parë penalisht për të njëjtin ndërtim të paligjshëm.
Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për një 47-vjeçar, i cili ka kanosur me fjalë një 65-vjeçare për motive të dobëta, si dhe për një 53-vjeçar që ka fyer fqinjen e tij, 64 vjeçe.
Ndërkohë, më datë 2 shkurt, një 26-vjeçar ka kallëzuar në polici se i është vjedhur motomjeti që e kishte lënë para banesës, në fshatin Boriç i Vogël. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
