Ndërtimet pa leje në Theth, shkarkohet drejtori i Policisë Shkodër dhe shefi i komisariatit

shkarkohet drejtori i Policisë

Drejtori i Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshaj dhe shefi i komisariatit, Nik Nikolla, janë shkarkuar nga detyra. Lajmi u bë me dije nga kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ndërsa shkarkimi i tyre vjen pas evidentimit të një sërë ndërtimesh pa leje në Theth.

Megjithëse Policia e Shkodrës e kishte referuar çështjen e godinave pa leje në Prokurori, Proda shtoi se kjo nuk e shpëtonte Drejtorinë e qarkut nga përgjegjësia.

Pavarësisht se Policia e Shkodrës ka bërë detyrën e vet duke referuar në Prokurori çështjen e atij kompleksi të tërë ndërtimi pa leje mu në mes të një zone të mbrojtur, kjo as nuk ia heq përgjegjësinë Drejtorisë së Qarkut të Shkodrës për ndërtimet pa leje në Theth, që fatkeqësisht doli se nuk ishin një e dy dhe as nuk mund të mbetet përgjegjësi e përveçme e një shefi stacioni, e një inspektori zone apo e një specialisti krimesh. Jo, kjo nuk do të ndodhë as në këtë rast dhe në asnjë rast të ngjashëm nëse do të ketë. Prandaj kam vendosur të shkarkoj nga detyra Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe bashkë me të edhe Shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër. Nëse shefi i komisariatit nuk do të dijë jo se sa veprime pa leje mbi territorin janë bërë gjatë 24 orëve të fundit, por deri edhe se sa karrige lokalesh jashtë apo çadra plazhi të lejuara ka në territorin e mbuluar prej strukturës së tij, atëherë ai nuk do të rrijë më në atë detyrë”, tha ai.

Mësohet se në krye të policisë së Shkodrës është komanduar Gentian Berberi, i cili deri më tani ka drejtuar Policinë e qarkut të Kukësit.

Screenshot 5 3

Ndërkohë është pezulluar nga detyra edhe shefi i stacionit të Policisë së Thethit, ndaj të cilit kryepolici tha se ka nisur ka nisur edhe një procedurë disiplinore për shkelje të rëndë. Gjithashtu, procedurë disiplinore ka nisur edhe ndaj inspektorit të zonës dhe specialistit të krimeve. Sipas Prodës, ata “nuk e meritojnë të jenë më pjesë e trupës së Policisë së Shtetit”.

Besoj se ky funksionar me mosveprimin e tij të pajustifikueshëm e ka zgjedhur rrugën e vet për të mos qenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk gjej dot asnjë arsye që ai ta veshë me uniformën blu – pavarësisht denoncimit të bërë  nga Policia në prokurorinë e Shkodrës, konkretisht referimi për ndërtimet pa leje në një zonë të mbrojtur, fatkeqësisht  për  këtë rast në mënyrë të çuditshme  Prokurorja e çështjes u mjaftua me mosfillim procedimi”, theksoi ai.

Një sërë godinash prej druri, të ndërtuara pa leje, janë prishur nga IKMT-ja në Theth. Kryeministri Edi Rama ka akuzuar prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli, se kishte refuzuar nisjen e hetimeve ndaj abuzuesve. Edhe Ministria e Drejtësisë ka nisur procedurat e denoncimit të prokurores Gjeli pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Proda paralajmëron shoferët kundër parkimit të dyfishtë në rrugë

Kryepolici paralajmëroi të gjithë shoferët ndaj parkimit të dyfishtë në rrugë, teksa tha se nuk do të konsiderohet më si shkelje e thjeshtë administrative, por do të trajtohet si vepër penale, sipas nenit 293 të Kodit Penal. Ky nen, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikon që bllokimi i rrugëve dhe qarkullimit të mjeteve të kategorive të ndryshme dënohet me gjobë dhe deri në tre vite burg.

Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal. Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj”, deklaroi Proda.