Ndërtimet pa leje në Theth, Rama: Ministria e Drejtësisë do i kërkojë KLP hetim për gjithë Prokurorinë e Shkodrës
Lirimi i hapësirave publike, është fokusi për kryeministrin Edi Rama në mandatin e katërt qeverisës. Në një videomesazh në rrjetin social Facebook, Kryeministri Edi Rama deklaroi se është e papranueshme ajo që ka ndodhur në qarqet kryesore të vendit me zaptimin e hapësirave publike prej bizneseve, duke u ndalur konkretisht në rastin e Thethit.
Rama bëri me dije se Ministria e Drejtësisë po bën gati dokumentacionin ku do i kërkojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë hetim për gjithë Prokurorinë e Shkodrës.
Kjo e fundit, sqaroi Rama, ka marrë në mbrojtje prokuroren Gjeli, e cila sikurse ka bërë me dije një ditë më parë Kryeministri, nuk ka nisur hetimet në lidhje me një rast shfrytëzimi të hapësirës publike në Theth nga një biznesmen.
“Vazhdon puna për të pastruar plagën e tmerrshme që iu hap Thethit dhe Ministria e Drejtësisë po bën gati të gjithë dokumentacionin ku do kërkojë nga KLP të qëndrojë seriozisht mbi prokurorinë e Shkodrës dhe jo mbi zonjës Gjeli. Realisht është shumë shqetësuese ajo që ka ndodhur në Theth, ku strukturat e shtetit që kanë vepruar janë lënë në baltë nga një prokurore dhe ndërkohë Prokuroria e merr dhe në mbrojtje
Këta njerëz në shkollë bëjnë dhe një lëndë në shkollë që quhet logjikë, por në arsyetimet e tyre vetëm logjikë nuk ka.
Ajo mungesë logjike në një organ themelor të zbatimit të ligjit përkthehet në dëme të mëdha për republikën, natyrën e komunitetin, imazhin e vendit”, tha ai.
Po ashtu, kryeministri theksoi se një tjetër problematikë tejet shqetësuese, është mungesa e furnizimit me ujë për qytetarët në Vlorë.
“Sot pasdite jemi në Bashkinë e Fierit e më pas në Bashkinë e Durrësit ku do vazhdojmë të njëjtën përpjekje, një vetëpastrim dhe vetëlehtësim i brendshëm i strukturës, domosdoshmëri kjo pas një periudhe relativisht të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz. Por, edhe si rrjedhojë e domosdoshmërisë për ta parë realitetin e qyteteve tona të mëdha në transformim të vazhdueshëm me sy të freskët.
Duhet hov i ri sepse 12 mandate në Fier janë histori. Do përballen me sfida të reja. Është e papranueshme që Vlora të vuajë për një furnizim të rregullt me ujë, aty ku furnizimi me ujë nuk pengohet nga mungesa, por paaftësia e paturpësia. Menjëherë problemi zgjidhet sapo ndryshon koka e punës. Është koha për riorganizim dhe rivizitim të komponentëve të punës. Kjo do vlejë në periudhën në vijim”, deklaroi Rama.
