Ndërrimi i viteve në Shkodër / Mijëra qytetarë festuan në sheshin qëndror
Ndërrimi i viteve në Shkodër ka kaluar në një atmosferë plotësisht festive dhe pa incidente.
Pranë familjarëve, me miq, në bare e restorante apo në sheshin qendror, këto kanë qenë mënyrat më të preferuara nga qytetarët për të pritur Vitin e Ri.
Mijëra banorë u mblodhën në sheshin dhe pedonalen përpara ndërtesës së Bashkisë së Shkodrës, e cila ishte kthyer në qendrën kryesore të festimeve. Qytetarët pritën momentin e ndërrimit të viteve duke shijuar spektaklin e fishekzjarreve të organizuar nga bashkia, koncertin festiv, e duke përcjellë edhe urimet për një vit sa më të mbarë.
Pavarësisht masivitetit në shesh dhe përdorimit të fishekzjarreve edhe nga vetë banorët, nuk janë shënuar incidente.
Atmosfera festive dhe e qetë ka shoqëruar jo vetëm natën e ndërrimit të viteve, por edhe të gjitha koncertet festive të zhvilluara gjatë muajit dhjetor në qendër të Shkodrës.
